Arkitektët dhe inxhinierët e ManeTCI marrin pjesë në trajnimin “Aftësitë e komunikimit në punë”
ManeTCI si një kompani që vendos standardet në tregun e ndërtimit, investon çdo ditë në rritjen e këtyre vlerave në të gjitha disiplinat. Komunikimi efektiv, si themeli i krijimit të marrëdhënieve bashkëpunuese dhe pozitive me klientët dhe furnitorët në ambientin e punës, ishte fokusi i rradhës. Në këtë linjë, u organizua trajnimi “Aftësitë e Komunikimit”, ku në të morën pjesë inxhinierët dhe arkitektët e kompanisë.
Ekspertja e njohur e komunikimit, Znj. Arlinda Çausholli, ishte mentorja e këtij trajnimi, qëllimi i të cilit lidhej me rëndësinë e komunikimit efektiv me klientët dhe partnerët e ManeTCI si në kantiere dhe në zyra, por jo vetëm. "Komunikimi në sektorin e ndërtimit është jetik për arritjen e një procesi të suksesshëm ndërtimi nga fillimi deri në përfundim të tij. Komunikimi i mirë brenda një ekipi mund të përmirësojë aftësitë e punës në grup, të çojë në bashkëpunim pozitiv dhe të rezultojë në një rrugëtim optimist të projektit për klientin”, u shpreh znj. Çausholli gjatë trajnimit.
Trajnimi u ndal tek sfidat me të cilat përballet stafi teknik në punë dhe rrjedhimisht tek gjetja e zgjidhjeve për të tejkaluar këto sfida. Një tjetër pikë kyçe e trajnimit ishte shpalosja e teknikave për të përmirësuar gjuhën e trupit, si dhe për të menaxhuar sa më mirë marëdhënien me bashkëpunëtorët tanë.
Znj.Çausholli, vijoi më tej duke thënë se: “… Një komunikim më i mirë do të rezultojë në menaxhim më të mirë të projektit të ndërtimit, pavarësisht nëse është një projekt i madh apo i vogël. Eshtë thelbësore që të gjithë të jenë në të njëjtin krah dhe t'i shërbejnë projektit dhe klientit në të njëjtën kohë. Ndaj ky trajnim është shtylla kurrizore e qasjes së të gjithë profesionistëve që punojnë në fushën e ndërtimit dhe kanë marrëdhënie me klientin”.
Në fund të këtij trajnimi, të gjithë pjesëmarrësit u ndërgjegjësuan për përfitueshmërinë indviduale dhe atë kolektive që vjen si rrjedhojë e rritjes së nivelit të komunikimit në ambientin e punës, e jo vetëm.



